16.10.2023.

BERZH dhe Raiffeisen Bank mbështesin Agrobiznesin dhe Turizmin

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) bashkë me Raiffeisen Bank Shqipëri kanë vendosur të ofrojnë mbështetje financiare jo vetëm për Agrobiznesin, por edhe për një tjetër burim të ardhurash për vendin, siç është Turizmi. Në marrëveshjen e nënshkruar këtë të premte Raiffeisen Bank Shqipëri siguron deri në 12 milionë euro huadhënie për bizneset lokale në Shqipëri.

Ka dy pika thelbësore që e bëjnë këtë marrëveshje suportuese për dy sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare, siç është Bujqësia dhe Turizmi. Banka Raiffeisen ka qenë një nga iniciatorët për të shtuar turizmin në marrëveshje dhe finalizimi sot do të thotë shumë për ne”, tha Elona Mullahi (Koçi), anëtare bordi për biznesin Koorporate, në Raiffeisen Bank.

“Ne jemi krenarë të ndërtojmë më tej partneritetin tonë të suksesshëm me Raiffeisen Bank Albania, duke u zgjeruar në një sektor kaq të rëndësishëm si turizmi. Ne besojmë në potencialin që ai përfaqëson për ekonominë shqiptare, siç u dëshmua së fundmi me një nga sezonet turistike më të suksesshme për vendin. Me mbështetjen e duhur, siç janë produktet financiare të përshtatura, sektori mund të lulëzojë më tej”, u shpreh Ekaterina Solovova, kryetarja e BERZH për Shqipërinë.

Kjo iniciativë përfshinë 10% nxitje investimi drejtuar huamarrësve në sektorët e Agrobiznesit dhe Turizmit, të financuara përkatësisht nga qeveria shqiptare dhe BE.

“Të gjithë operatorët në sektorin e Bujqësisë dhe Turizmit që do përfitojnë nga kjo marrëveshje do përfitojnë edhe grant 10%”, shtoi Mullahi.

Kjo lehtësi është një zgjerim i marrëveshjes të vendosur më parë me Raiffeisen Bank Albania për sektorin e Agrobiznesit, i cili u nënshkrua në vitin 2019 për një portofol deri në 35 milionë euro. Raiffeisen Bank Shqipëri shprehet e gatshme të mbështesë bizneset vendase, të cilat operojnë në këto sektorë, duke kontribuar kështu në rritjen e ekonomisë shqiptare.