BERZH bashkëpunon me Landeslease për të mbështetur bizneset shqiptare
Jemi të lumtur të njoftojmë partneritetin e ri midis EBRD (BERZH) dhe Landeslease për të mbështetur rritjen dhe konkurrueshmërinë e bizneseve të vogla dhe të mesme në Shqipëri.
Nëpërmjet Programit SME Reboot të BERZH, Landeslease do të përfitojë deri në 5 milionë euro financim për të ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme të investojnë në teknologji të avancuara dhe të qëndrueshme, me 70% të fondeve të dedikuara për teknologji të gjelbra.
Ky program do t’u mundësojë bizneseve të rrisin efiçencën e energjisë dhe burimeve, të modernizojnë pajisjet dhe proceset duke u harmonizuar me standardet e BE-së dhe të konkurrojnë më fuqishëm në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar.
Znj. Ekaterina Solovova, Drejtuese e BERZH në Shqipëri, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e këtij partneriteti për zgjerimin e aksesit në financim për biznesin dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme.
Z. Rezart Ferzaj, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Landeslease, në fjalën e tij vlerësoi këtë bashkëpunim me vlerë i cili do të mundësojë kombinimin e zgjidhjeve të leasingut me asistencën teknike të nevojshme dhe programe incentivuese për të ndihmuar bizneset të modernizohen dhe rriten.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të ekosistemit të biznesit në Shqipëri dhe mbështetjes së një ekonomie më të gjelbër dhe më konkurruese.
-Landeslease është filial i Union Bank dhe ushtron aktivitetin e qerasë financiare.