“BE për kujdesin social”, mbështetje fëmijëve dhe grupeve të cenueshme në 14 bashki në Shqipëri
Programi “BE për Kujdesin Social” po ndihmon 14 bashki në Shqipëri të mbështesin fëmijët dhe familjet nga grupet e cenueshme duke përmirësuar shërbimet e kujdesit social. Financuar nga BE, ky program trevjeçar, i zbatuar nga UNICEF dhe World Vision Albania, kontribuon për një shoqëri shqiptare më gjithëpërfshirëse, në përputhje me parimet e Shtyllës Evropiane të të Drejtave Sociale – sepse BE-ja qëndron gjithmonë pro solidaritetit dhe mundësive të barabarta për të gjithë.
Në një aktivitet të mbajtur në Tiranë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përmes mekanizmit financiar të Fondit Social njoftoi se do të mbështesë gjatë vitit 2025 edhe 11 bashki të tjera në ofrimin e shportës së shërbimeve sociale përmes ngritjes së shërbimeve të reja si dhe përmirësimit të shërbimeve ekzistuese për familjet dhe individët në nevojë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu falënderoi për bashkëpunimin e ngushtë me UNICEF- që po kontribuon në të gjitha reformat e kësaj ministrie si dhe BE që me programin e mbështetjes buxhetore dhe asistencës teknike, vazhdon të luajë një rol kryesor në zhvillimin dhe shtimin e numrit të shërbimeve sociale.
Ndërkaq, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato i pranishëm në takim u shpreh se “me mbështetjen tonë, fëmijët dhe grupet e tjera të cenueshme, të margjinalizuara ose të diskriminuara në 14 bashki do të kenë akses në shërbime sociale të përmirësuara”.
“Ky është pikërisht objektivi që duhet të kemi parasysh ndërsa Shqipëria bën përparim drejt anëtarësimit në BE – anëtarësimi nuk ka të bëjë vetëm me përmbushjen e kritereve ekonomike, por më e rëndësishmja, për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse që është mirëpritëse për të gjithë”, u shpreh ambasadori Gonzato. (10 janar)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.