15.11.2021.

Agjencia Austriake për Zhvillim bashkëpunon me UNDP-në për të forcuar veprimin lokal për klimën

Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), njësia operative Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë nënshkruan një marrëveshje për ndarjen e kostove nga palët e treta për të mbështetur komunat e Kosovës në rrugëtimin drejt tranzicionit për një zhvillim neutral ndaj karbonit.

 

Znj. Sandra Horina, Shefe e Zyrës Koordinuese të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në Prishtinë dhe znj. Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, në prani të Sh.T. Christoph Weidinger, ambasador i Republikës së Austrisë në Kosovë, nënshkruan marrëveshjen për të vazhduar të punohet edhe më tej sipas suksesit të projektit “Urban NAMAs” në Prizren, si dhe duke u zgjeruar edhe në komunën fqinje të Suharekës. Kjo marrëveshje shënon vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim të zvogëlimit të emetimeve të gazrave serrë (GHG) dhe të kontribuojë në tranzicionin e gjelbër në Kosovë.

 

Z. Christoph Weidinger, ambasador i Republikës së Austrisë në Kosovë, shprehu kënaqësinë që projekti “Forcimi i Veprimit Lokal për Klimën” është vazhdimësi e kontributit të Austrisë në tranzicionin e gjelbër të Kosovës. Ambasadori Weidinger theksoi rëndësinë e veprimit të përbashkët global dhe në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat në mënyrë që ketë trajtim efektive për ndryshimet klimatike. Austria vazhdon të luajë rolin e saj në këtë fushë.”

 

Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, tha me këtë rast: “Kemi kënaqësinë të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer me ADA-në dhe Komunën e Prizrenit dhe mirëpresim zgjerimin e partneritetit me Komunën e Suharekës. Përderisa ky projekt i ri na lejon të punojmë në bazë të rezultateve të shkëlqyera të arritura deri më tani, njëherit na jep mundësi për të hulumtuar edhe dinamikën rurale-urbane, risitë shoqërore si dhe mënyrat të reja mobilizimi për të financuar veprimet për klimën. Partneriteti afatgjatë me ADA-në na ka mundësuar të zhvillojmë planifikim të bazuar në dëshmi dhe të vemë në përdorim qasje të reja për veprimin klimatik në Kosovë – andaj ne presim me padurim të angazhohemi edhe me një gamë të gjerë të palëve të interesuara ndërsa ecim përpara me këtë iniciativë”.

 

Sandra Horina, Shefe e Zyres Koordinuese të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në Prishtinë theksoi se ADA është shumë e lumtur të mbështesë komunat e Kosovës në tranzicionin e tyre drejt zhvillimit me emetime zero duke vazhduar punën në bazë të rezultateve të projektit të mëparshëm “Mbështetje për Prizrenin e Qëndrueshëm – Inicimi i NAMA-ve Urbane”. “Këto ditë ne po ndjekim lajmet nga konferenca

“Veprimi për Klimën COP26” dhe besoj se të gjithë ne duhet të veprojmë tani për brezin e tanishëm dhe atë të ardhshëm. Me këtë projekt ne synojmë të reduktojmë emetimet e gazrave serrë dhe të kontribuojmë në një zhvillim me karbon neutral përmes një qasjeje të integruar dhe të ndjeshme ndaj gjinisë. Ne do të përfshijmë në aftësim dhe aktivitete për ndërgjegjësimin e së paku 620 përfitues të drejtpërdrejtë nga institucionet publike dhe sektori privat, nga të cilët të paktën 340 do të jenë gra”, tha znj. Horina.

 

Së bashku me kontributin e ADA-së prej 1 milion eurosh për projektin “Forcimi i Veprimit Lokal të Klimës”, 100,000 euro shtesë nga komuna e Prizrenit dhe 50,000 euro nga komuna e Suharekës janë dëshmi dhe përkushtim për të punuar së bashku në luftimin e ndryshimeve klimatike.