30.11.2021.

Regjistrimi i fermave, Krifca: Domosdoshmëri për sigurinë ushqimore

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Çdo fermë bujqësore apo blegtorale, do të ketë një regjistër të saktë me informacion të detajuar, i cili do të jetë një hap më tej drejt sigurisë ushqimore të produkteve që konsumojmë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me mbështetjen e Organizatës Botërore të Ushqimit (FAO) nisin projektin për regjistrimin e fermës, si një detyrim i vendosur edhe në progres raportin për anëtarësimin në BE.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u shpreh sot gjatë prezantimit të këtij projekti se kjo nismë kontribuon në çuarjen përpara të potencialeve që ka sektori bujqësor në Shqipëri.

“Bujqësia është një ndër sektorët me rëndësi për ekonominë tonë dhe në këtë konteks synojmë zhvillimin e këtij sektori për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe transformimin e sistemeve ushqimore duke arritur qëndrueshmëri ekonomike, sociale dhe mjedisore”, tha Krifca.

Ndërsa Raimund Jehle, përfaqësue i FAO-s për Shqipërinë theksoi se, “korniza e re Strategjike e FAO-s – 2022 – 2031 vë theksin në prodhim më të mirë, ushqim më të mirë, mjedis më të mirë dhe jetë më të mirë dhe në këtë kontekst ne po mbështesim vendet tona anëtare në këtë përpjekje, dhe Shqipërinë si vend anëtar i FAO-s”.

“Dialogu kombëtar për sistemet ushqimore, si dhe qasja në fillim të këtij viti dhe rrugët e zhvilluara tregojnë potencialin e sektorit agro-ushqimor, por edhe sfidat që duhen arritur në këtë kontekst”, vuri në dukje Jehle.

FAO ka dhënë mbështetje të vazhdueshme për Shqipërinë në përmirësimin dhe gjithë përfshirjen e politikave bujqësore për fermat familjare dhe nxitjen e zhvillimit rural. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.