16.12.2022.

BE-ja dhe UNICEF-i ndihmojnë në përmirësimin e jetës së fëmijëve të cenueshëm në Kosovë

PRISHTINË, 1 Dhjetor 2022 – Ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog dhe Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, kanë vizituar Qendrën Ditore në Prishtinë për fëmijët e cenueshëm që jetojnë ose punojnë në rrugë apo hapësira publike.

BE-ja dhe UNICEF-i filluan financimin e punës së Qendrës në fillim të vitit 2022 për të ndihmuar që fëmijët në situatë rruge dhe fëmijët e tjerë të rrezikuar të mund të plotësojnë nevojat e tyre bazë për ushqim, pushim, higjienë dhe mbështetje psikologjike dhe të kenë qasje në arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime të tjera. Gjithashtu ofrohet këshillim dhe mbështetje për familjet e tyre.

“Jam i lumtur të shoh se mbështetja e BE-së për Kosovën po arrin mijëra fëmijë të cenueshëm dhe familjet e tyre dhe po ka një ndikim të prekshëm dhe pozitiv në jetën e tyre. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë për fëmijët e margjinalizuar dhe familjet e tyre në Kosovë për të ndihmuar në përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe për të ndërtuar një të ardhme më të shëndetshme dhe më të ndritshme për të gjithë”, tha Tomas Szunyog, Ambasador i BE-së në Kosovë.

BE-ja dhe UNICEF-i nënshkruan një partneritet tre-vjeçar për të mbrojtur fëmijët e cenueshëm në Kosovë. Nëpërmjet këtij Aksioni prej 2,5 milionë eurosh, BE-ja me UNICEF-in dhe partnerët e saj do të sigurojë qasje në mbrojtje dhe arsim për më shumë se 10,000 vajza dhe djem të cenueshëm duke përfshirë fëmijët në situatë rruge, fëmijët në rrezik të braktisjes së shkollës, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët viktima të dhunës dhe fëmijët në kontakt me ligjin. Partneriteti do të forcojë gjithashtu kapacitetet institucionale të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë, me trajnime për më shumë se 1,300 punëtorë të vijës së parë dhe profesionistë të tjerë nga sektorët e mirëqenies sociale, drejtësisë, shëndetësisë dhe arsimit.

“Partneriteti ynë me BE-në vjen në një kohë kritike kur na duhet të rindërtojmë shërbime më të mira dhe më gjithëpërfshirëse për fëmijët dhe familjet. Të ballafaquar me goditje të shumta nga pandemia e deri te krizat ekonomike, fëmijët e cenueshëm po lihen pas në mbarë botën, dhe më shumë se kurrë kanë mbetur jashtë arsimit dhe në varfëri. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ne të zhvillojmë sisteme të fuqishme të shërbimeve sociale këtu në Kosovë, pasi kjo është mënyra më e mirë për të mbrojtur në mënyrë të qëndrueshme fëmijët më të cenueshëm dhe më të rrezikuar”, tha Shefja e UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman.

BE dhe UNICEF kanë krijuar prej kohësh bashkëpunim në ofrimin e mbështetjes për fëmijët në nevojë dhe familjet e tyre.